Tuesday, October 2, 2018

Shpella e Gadimes


Gjendet në fshatin Gadime në afërsi të Lipjanit, Kosovë ajo është e gjatë 1500 metra. Mirëpo për turistët e shpellës është i mundshem shikimi i vetëm 800 metrave të para të shpellës, pasi që për pjesën tjetër të shpellës ende nuk janë të mundshme kalimet. Gjatë verës temperatura në brendi të shpellës është 8-11 gradë celsius dhe gjatë dimrit 11-13 gradë. Shënimet e para të shkruara për ekzistimin e shpellës duket se janë marruar nga një fshatar i cili në oborrin e shtëpisë së vet gjatë punimit (thyerjes) së gurëve kishte hasur në një gropë të vogël nga e cila vinin reflektime të dritës. Pasi që fshatari kishte shikuar me vëmendje ai ishte magjepsur nga bukuria dhe shkëlqimi i kristaleve stalagmite. Për datën në të cilën janë futur në aktet zyrtare këto shënime nuk dihet. Por në fshat flitet se fshatarit fatlumë për lajmërimin që kishte bërë i janë dhuruar katër shtëpi mesatare të asaj kohe. Personat e angazhuar për matjen e gjatësisë së shpellës kanë vërtetuar pohimin e gojëdhënës së fshatarëve e cila thotë se: një lepur dhe qenë (zagar) kanë hyrë në gryken e shpellës në Gadime dhe pas disa ditësh kanë dalurë në sipërfaqe në Janjevë. Dhe më të vërtet largësia ajrore në mes të këtyre dy fshatrave është 12 km. Personat të interesuar për brendinë e shpellës dhe që si duket kanë provuar të hynë aty, kanë lajmëruar se edhe brendia e saj është po aq e bukur sikurse ajo që shohin turistët dhe ndoshta edhe më e bukur. Në shpellë si duket ka edhe disa dukuri tjera natyrore siç është liqeni madhësia e të cilit ende nuk është matur. Fshatarët e këtyre viseve tregojnë për disa gjëra për të cilat ata thonë se i kanë mbajtur pasi që janë frikësuar që ato do të keqpërdoreshin nga sistemet shtetërore që sundonin në Kosovë. Se sa janë të vërteta këto pohime i mbetet kohës dhe personave të specializuar për vërtetimin e gjërave të tilla.


No comments:

Post a Comment